Lajmet e fundit

U dënua me 27 vite burg për grusht shteti, ish-presidenti i Brazilit diagnostikohet me kancer të lëkurës

Prania e karcinomës me qeliza skuamoze u zbulua nga testet e kryera ndaj ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro, e thënë ndryshe, ai është diagnostikuar me kancer të lëkurës.

Bolsonaro, 70 vjeç, u largua nga klinika private DF Star ku u shtrua të martën për shkak të një sëmundjeje të papritur. Sipas deklaratës mjekësore, pas pranimit ai ishte “i dehidratuar, duke u paraqitur me takikardi dhe presion të ulët të gjakut”. Testet mjekësore treguan “anemi dhe funksion të dëmtuar të veshkave”.

Të dielën, ai mori kujdes mjekësor, duke përfshirë pastrimin kirurgjikal të lezioneve të lëkurës. Një biopsi tregoi praninë e karcinomës së qelizave skuamoze në dy zona, sipas Dr. Claudio Birolini. “Ata u trajtuan me heqje kirurgjikale, por kërkohet monitorim i rregullt për t’u siguruar që nuk do të përsëriten”, u tha gazetarëve mjeku që e trajtoi Bolsonaronon.

Ish-presidenti brazilian është përballur me probleme serioze shëndetësore, veçanërisht pasi u godit me thikë në bark gjatë fushatës së tij zgjedhore të vitit 2018. Që atëherë ai i është nënshtruar të paktën gjashtë operacioneve, më i fundit në prill që zgjati pothuajse 12 orë.

Gjykata Supreme e Brazilit dënoi të enjten Jair Bolsonaro me 27 vjet e tre muaj burg për përpjekje për grusht shteti pas humbjes së tij në zgjedhjet e vitit 2022 nga presidenti aktual i vendit, Luiz Inacio Lula da Silva.

Avokatët mbrojtës planifikojnë të shterojnë të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për të përmbysur vendimin. Deri atëherë, 70-vjeçari Bolsonaro nuk do të dërgohet në burg dhe do të mbetet në arrest shtëpiak.