Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për rikandidimin e Ekzekutivit të Qarkut Nassau, Bruce Blakeman, në zgjedhjet për drejtimin e këtij rajoni në New York.
Gjatë një vizite në Qarkun Nassau për të ndjekur Kupën Ryder në fushën e golfit Bethpage Black, Trump e cilësoi Blakeman si një prej figurave më të besuara republikane dhe vlerësoi lartë punën e tij në drejtimin e qarkut.
Përmes një postimi në Instagram, Bruce Blakeman falënderoi Presidentin Trump për praninë dhe mbështetjen, duke e cilësuar vizitën si një nder të madh për komunitetin lokal.
“Ishte një nder që Presidenti Trump ishte në Qarkun Nassau për Kupën Ryder. Turma e adhuroi dhe ai e shijoi shumë kohën e tij këtu. Patëm një bisedë të gjerë rreth çështjeve të rëndësishme që prekin kombin dhe rajonin,” shkroi Blakeman.
Ai shtoi se gjatë mandatit të tij, Qarku Nassau është bërë më i sigurti në SHBA, falë investimeve të mëdha në rend dhe siguri:
“Faleminderit President Trump për mbështetjen tuaj! Gjatë mandatit tim, Nassau është bërë qarku MË I SIGURTË në Amerikë. Kemi punësuar 400 oficerë të rinj të zbatimit të ligjit dhe kemi ndaluar kaosin e NYC-së që të depërtojë në Nassau. Po ashtu, kemi mbrojtur interesin financiar të qytetarëve – duke eliminuar 150 milionë dollarë në rritje të planifikuara të taksave të pronës dhe pa rritur asnjë taksë të vetme,” – theksoi Blakeman.
Mbështetja e Donald Trump vjen në një moment kyç për Blakeman, i cili shihet gjerësisht si një nga figurat republikane me potencial për të kandiduar për guvernator të New York-ut në vitin e ardhshëm, nëse fiton këto zgjedhje lokale.