Një propozim për t’i vënë aeroportit në ishullin e vogël italian të Pantellerias emrin e Giorgio Armani-t, si homazh për stilistin e ndjerë të modës, po shqyrtohet seriozisht nga autoritetet italiane.
Kjo për shkak se stilisti italian shpesh i kalonte pushimet verore në pronën e tij në të ashtuquajturën “perla e zezë e Mesdheut”.
Giorgio Armani – i cili vdiq më 4 shtator në moshën 91 vjeç – kishte një vilë në ishullin e Pantellerias, i cili ndodhet midis Siçilisë dhe Tunizisë. Ishte “vendstrehimi” ku ai shpesh zgjidhte të kalonte pushimet me të afërmit dhe miqtë e tij. Të rrethuara nga rreth 150 palma, të gjitha ndërtesat ishin në përputhje me arkitekturën tradicionale pa ndërhyrje të huaja.
Autoriteti Italian i Aviacionit Civil (ENAC) tha të mërkurën se mbështet propozimin për riemërtimin e aeroportit, i cili u paraqit nga këshilli vendor dhe mbështetet gjithashtu nga Ministri i Transportit Matteo Salvini. Presidenti i ENAC, Pierluigi Di Palma, thekson se propozimi për ta riemërtuar atë në “Giorgio Armani” i shërben planeve për modernizimin e aeroportit dhe promovimin e turizmit në ishullin e Pantellerias.