Kryesore

Skadon në shkurt të vitit tjetër, Putin: Rusia e gatshme të rinovojë traktatin START për mospërhapjen e armëve bërthamore

Rusia është e përgatitur të vazhdojë t’i përmbahet traktatit të ri START mbi armët bërthamore për një vit, edhe pasi ai të skadojë në shkurtin e ardhshëm, tha presidenti rus Vladimir Putin.

Duke folur në një takim me anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurisë të Rusisë të hënën, Putin tha se për shkak të hapave armiqësorë dhe shkatërrues të ndërmarrë nga Perëndimi në vitet e fundit, themelet e marrëdhënieve konstruktive dhe bashkëpunimit midis shteteve të armatosura me armë bërthamore janë dëmtuar ndjeshëm.

“Hap pas hapi, sistemi i marrëveshjeve sovjeto-amerikane dhe ruso-amerikane mbi kontrollin e raketave bërthamore dhe armëve strategjike mbrojtëse u çmontua pothuajse plotësisht”, tha Putin. Ai theksoi se sistemet e marrëveshjeve midis Rusisë dhe SHBA-së, të cilat zotërojnë dy arsenalet më të mëdha bërthamore në botë, kanë shërbyer prej kohësh si një faktor stabilizues dhe kanë kontribuar në stabilitetin global dhe sigurinë ndërkombëtare.

Putini vuri në dukje se traktati i Ri START, i nënshkruar në vitin 2010 nga Rusia dhe SHBA-të, është marrëveshja e fundit dypalëshe e mbetur që kufizon armët bërthamore. Ai paralajmëroi se lejimi i skadimit të tij dhe braktisja e trashëgimisë së tij do të ishte “një hap i gabuar dhe dritëshkurtër, i cili, sipas mendimit tonë, do të ndikonte negativisht edhe në qëllimet e Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore”.