Zv.Presidentja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook ka deklaruar se Shqipëria ka shënuar një rritje alarmante të çmimeve të banesave, duke u renditur e dyta në Europë pas Polonisë për rritjen më të madhe të çmimit të pasurive të patundshme.
Ajo theksoi se sipas raportit të “Deloitte Property Index 2025”, çmimi mesatar i një metri katror në Shqipëri ka arritur në 1620 euro, me një rritje prej 16.6% krahasuar me vitin 2024 dhe se kjo situatë ngre shqetësime të mëdha për qytetarët shqiptarë, të cilët përballen me pasiguri ekonomike dhe kushte të vështira për blerjen e një banese.
Postimi i plotë i Erisa Xhixhos:
Shqipëria është e dyta në Europë për rritjen më të lartë të çmimeve të banesave. Sipas raportit të “Deloitte Property Index 2025”, për rritjen e çmimit, ne renditemi të dytët pas Polonisë, një vend ku qeveria subvencionon strehimin. Çmimi mesatar i një metri katror në Shqipëri është 1620 euro Rritje 16.6% në krahasim me vitin 2024 Shqipëria lë pas vende me të ardhura të larta si: Izraeli +12.7% Hungaria +11.9% Kroacia dhe Rumania +11.5% Italia +11.2% Greqia +10.2% Kush e ushqen bumin e ndërtimit në vendin me pagat më të ulëta në Europë? Paraja e pistë e krimit dhe korrupsionit! Ndërsa shqiptarët nuk mbyllin dot muajin, kullat ngrihen përditë para syve të tyre. Nëse një çifti të rinjsh i duhen 70 vjet për të blerë një apartament, stoku i apartamenteve bosh në Tiranë i ka kaluar 56 mijë. Bumi i ndërtimit është mekanizmi për pastrimin e parave të krimit e korrupsionit, me bekimin e qeverisë!