Një shpërthim i fuqishëm tronditi gjatë natës kompleksin industrial të Ras Laffan në Katar, zonën më të madhe të prodhimit të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në botë. Sipas raportimeve, shpërthimi u dëgjua deri në kryeqytetin Doha dhe u pasua nga një zjarr që shkaktoi plagosjen e disa personave.
Kompania QatarEnergy bëri të ditur se incidenti ndodhi në uzinën e përpunimit të gazit natyror Barzan dhe se shkaku paraprak dyshohet të ketë qenë një defekt teknik.
Pas shpërthimit, ekipet e emergjencës ndërhynë për të vënë nën kontroll flakët, ndërsa autoritetet njoftuan se zjarri u shua pa u përhapur më tej.
Ministria e Brendshme e Katarit konfirmoi se nga ngjarja ka persona të plagosur, por theksoi se nuk është konstatuar asnjë rrjedhje gazi apo materiali tjetër që të përbënte rrezik për sigurinë e zonës përreth.