Operacioni policor i koduar “Rrjeti”, i zhvilluar nga Policia e Tiranës në bashkëpunim me autoritetet kolumbiane dhe ndërkombëtare, ka çuar në arrestimin e 10 personave në Kolumbi.
Prokurori i çështjes dhe përfaqësues të strukturave hetimore shqiptare ndodhen aktualisht në Kolumbi për të ndjekur nga afër zhvillimet.
Operacioni është mbështetur nga projekte dhe agjenci të BE-së, si EU4FAST, WBCrimJust, EUROPOL dhe EUROJUST. Hetimet për këtë rrjet kriminal vijojnë në kuadër të operacionit të përbashkët ndërkombëtar.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të njoftimit të dhënë më parë për zhvillimin dhe finalizimin e operacionit policor “Rrjeti”, të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dhe Policinë Kombëtare të Kolumbisë, Policinë kroate, EUROPOL dhe EUROJUST, ju informojmë se:
Aktualisht, në Kolumbi ndodhen Prokurori i çështjes dhe drejtues të strukturave hetimore të DVP Tiranë, të cilët po marrin pjesë në operacionin e përbashkët ndërkombëtar me homologët kolumbianë.
Gjatë zhvillimit të operacionit në Kolumbi janë arrestuar 10 shtetas, të dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari kriminale.
Operacioni u mundësua me mbështetjen e projektit EU4FAST (EU Support to Strengthen the Fight against Migrant Smuggling and Trafficking in Human Beings in the Western Balkans) dhe Western Balkans Criminal Justice (WBCrimJust), në bashkëpunim me EMPACT (European Multidisciplinary Platform Against Criminal Threats).
Operacioni policor i koduar “Rrjeti” vijon.