Politikë

Rama prezanton aneksin e “Besës”, mesazh të tijëve: Isha në varrezat e partive që humbën, ato nisën me veshë hapur dhe qeverisën me veshë mbyllur. Ndryshkja nuk është e pashmangshme

Rama prezanton aneksin e “Besës”, mesazh të tijëve: Isha në varrezat e partive që humbën, ato nisën me veshë hapur dhe qeverisën me veshë mbyllur. Ndryshkja nuk është e pashmangshme

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar aneksin “Prania Besnike” me anëtarët e PS.

Ai iu ka dhënë atyre një mesazh të fortë që duhet të dëgjojnë ata që i kanë votuar pasi shembujt e partive në Europë dhe në botë kanë terguar se ata që nuk kanë qeverisur me veshët hapur kanë pësuar disfata.

“Ky takim me drejtuesit politikë, si edhe me drejtuesit e komisioneve të përhershme parlamentare, është vazhdimi i mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar, për të nisur një diskutim së bashku rreth dimensionit të partisë në fazën e re ku ka hyrë vendi dhe ku kemi hyrë edhe ne si shumicë qeverisëse.

Dokumentin strategjik “Besa” e keni tanimë në dorë; ky tjetri që është këtu, të cilin e keni marrë dhe që e ndaj me ju sot, fillimisht për një diskutim të brendshëm, quhet “Prania Besnike” dhe është aneks i atij të parit.

“Prania Besnike” adreson vetëm partinë, me synim që ta vendosë atë në funksion të kthesës së mandatit të katërt dhe, nëse herën e shkuar fola për qeverisjen e kësaj faze të re, sot do të flas për “makinerinë” tonë të partisë.
Dhe dua t’ju them se, paralelisht me reflektimin përpara pasqyrës së bulevardit të “flamingove”, kam kaluar edhe disa kohë në “varrezat” ku prehen historitë e partive dhe të lëvizjeve që fituan gjithçka, por që, më herët ose më vonë, humbën sfidën e vazhdimësisë së qëndrueshme të fitoreve të tyre.

Të gjithë gurët në ato “varreza” kanë të njëjtin mbishkrim: asnjëri nuk e humbi pushtetin nga dëgjimi; të gjithë e humbën dëgjimin nga pushteti.

Barack Obama fitoi në vitin 2008 me lëvizjen më të madhe vullnetare që kishte parë historia e demokracisë amerikane. Mbi 2 milionë vullnetarë ose, siç quhen në shqip, patronazhistë aktivë; ekipe lagjesh me emra, role, me përgjegjësi të matshme dhe të matura çdo javë, si dhe 13 milionë adresa njerëzish të lidhura me kauzën. Një muaj pas fitores, të cilën askush nuk e parashikoi në fillim, por pastaj gjithë bota e admiroi në fund, ajo lëvizje vullkanike u ftoh. Rrjeti nuk u zhduk formalisht, por u fut brenda zyrave të administratës dhe u vu në shërbim të agjendës së Shtëpisë së Bardhë. Protagonistët kryesorë u kthyen në zëdhënës të pushtetit të ri dhe kori më masiv i përcjelljes së një mesazhi politik në historinë e Amerikës u tret në lumenjtë e turmave të jetës së përditshme.

Dy vjet më vonë, në zgjedhjet e para të mesmandatit, makineria që kishte magjepsur botën nuk kishte më jetë dhe partia e presidentit pësoi njërën nga disfatat më të rënda në historinë e saj. Vetë Obama e ka pranuar më vonë si një nga dështimet më të mëdha politike.

Ndërkohë që, më poshtë, në jug, Partia e Punëtorëve të Brazilit, një tjetër fenomen i pazakontë politik, kishte vendosur në Porto Alegre gurthemelin më mbresëlënës të së majtës botërore, të gdhendur në historinë e saj: buxhetimin me pjesëmarrje.

Dhjetëra mijëra qytetarë vendosnin vetë, me votë të hapur në asambletë e lagjeve, se ku do të shkonin investimet e qytetit. Uji dhe kanalizimet vajtën nga 75% në 98% të mbulimit. Katër mandate radhazi populli zgjodhi Partinë e Punëtorëve, pastaj partia fitoi Brazilin. Kuadrot më të mirë të Porto Alegres ikën nëpër ministritë e kryeqytetit. “Energjia” politike që e mbante gjallë buxhetimin me pjesëmarrje filloi të shteronte dhe partia, që i kishte mësuar botës dëgjimin, humbi qytetin e vet një vit pas fitores kombëtare. Mekanizmi mbijetoi formalisht edhe për disa vite, por pa të njëjtën fuqi, pa të njëjtën pjesëmarrje dhe pa të njëjtin vullnet politik, derisa u fashit. Kutia e buxhetimit mbeti aty, por fryma që e kishte bërë atë zemrën e komunitetit iku bashkë me ata që u futën në administratë.

Nga kjo anë e oqeanit ka plot raste, por unë zgjodha të kujtoj këtu Francën. Emmanuel Macron e ndërtoi partinë e tij në kohë rekord. Trokiti në 300 mijë dyer; 5 mijë vullnetarë për 3 muaj; 25 mijë bashkëbisedime të regjistruara me pesë pyetje të hapura: çfarë funksionon dhe çfarë nuk funksionon në Francë. Përgjigjet u bënë program dhe, pasi ai fitoi presidencën, partia e tij fitoi edhe shumicën absolute në zgjedhjet parlamentare. Më pas, komitetet lokale mbetën në hartën e partisë, por pa funksion, pa autonominë dhe pa arsyen për të cilën njerëzit kishin hyrë në ato komitete. Zgjedhësit që u anëtarësuan për të qenë bashkëautorë të lëvizjes e gjetën veten spektatorë të një pushteti që fliste vetëm nga lart. Partia shkoi nga rënia në rënie, duke e lënë praktikisht, për herë të parë pas shumë vitesh, presidentin pa shumicë dhe Francën me një fragmentim parlamentar krejt të pazakontë për historinë e Republikës së Pestë.

“Podemos” në Spanjë u bë një parti me influencë të madhe në skakierën politike, me gjysmë milioni anëtarë të regjistruar në platformën e vet digjitale. Por, kur erdhi dita që të votonin për drejtimin e partisë, votuan vetëm 59 mijë prej tyre. Kështu u zbulua se regjistrimi nuk është pjesëmarrje, se një klikim nuk është angazhim dhe se një turmë llogarish digjitale nuk është ende një bashkësi politike.

Ndërsa lëvizja “5 Yjet” në Itali, që u rrit, duke u tallur me partitë e vjetra dhe që mori pushtetin, ia kishte besuar platformën e saj digjitale një shoqërie private. Kur filloi grindja në pushtet, partia mbeti pa asnjë kontroll mbi të dhënat e veta dhe me votime të ngrira në çastin më kritik të jetës së saj. Themeluesi i saj shkroi edhe nekrologjinë e saj jo shumë kohë më parë. Revolucionarët hynë në pallatet e pushtetit për të ndryshuar pushtetin; pushteti i ndryshoi ata.

Pesë vende, pesë parti, e njëjta sëmundje. Filluan me veshë hapur, qeverisën me veshë mbyllur dhe, pasi u ngjitën shpejt, shumë lart, ranë poshtë po aq shpejt.

Por ka edhe një lloj tjetër sëmundjeje që besoj se ne na intereson edhe më shumë për ta kuptuar në skanerin e historisë së partive fitimtare. Është historia e partive që rrinë gjatë në krye, por që dëgjojnë vetëm nga njëri vesh dhe shikojnë vetëm nga njëra anë.

Peronizmi kishte në çdo lagje të Argjentinës një njësi bazë të hapur gjatë gjithë vitit, ku hallexhiut i gjendej ilaçi, dokumenti, thesi me miell, puna për djalin. Në pamje të parë, tingëllon si “Prania Besnike” që unë po ndaj me ju sot, por, në fakt, ndryshon prej “Pranisë Besnike”, siç ndryshojnë veshi dhe syri i sëmurë nga dy kolegët e tyre të shëndetshëm, sepse njësitë peroniste e jepnin ndihmën me kusht dhe ndihmësi i lagjes matej nga partia me votat që dorëzonte. Prandaj, ai nuk quhej më ndihmës, por quhej puntero, domethënë sekser, dhe populli e dinte që dera e shtetit hapej vetëm me çelësin e sekserit politik në zyrën e partisë.

Mirëpo, erdhi një ditë e bukur që presidencën e Argjentinës e fitoi një njeri pa makineri territoriale që mund të krahasohej, qoftë edhe teorikisht, me peronizmin, me një llogari në TikTok dhe me zemërimin e algoritmit si aleatin e tij më të madh. Kurse makineria më e madhe elektorale e Amerikës Latine u parkua në opozitë dhe aty, thonë, do të kalojë një dimër shumë të gjatë politik. Por, për këtë, ne s’kemi pse të shkojmë deri në Argjentinë; mjafton të shohim komshien e vajtueshme që kemi në sallën e Kuvendit, që u ndryshk dhe u bë teneqe krejt në opozitë.

Në dukje, sëmundja e ndryshkjes pas një pushteti të gjatë mund të perceptohet si e pashmangshme, por nuk është. Është thjesht shumë më e përhapur sesa rastet e partive që kanë ditur t’i rezistojnë ndryshkjes edhe për kohë shumë të gjata, për të cilat shkëlqen shembulli i Partisë Socialdemokrate të Suedisë.

Socialdemokratët suedezë qeverisën praktikisht për 44 vjet me radhë. Ata ndërtuan vërtet një shtet social të admiruar nga bota, por themeli i suksesit të tyre ishte se, ndërkohë, ndërtuan shoqërinë e tyre politike. Partia nuk ishte vetëm selia ku shkonte aktivisti për të marrë porositë për fushatën; ishte sindikata ku shkonte punëtori, kooperativa ku shkonte familja, shtëpia e popullit ku mblidhej lagjja dhe rrethi i studimit, ku anëtarët nuk mësonin vetëm çfarë duhej të mendonin, por mësonin si të mendonin, si të flisnin dhe si të dëgjonin.

Ata nuk e trajtuan qytetarin si klient të partisë, por si bashkëkrijues dhe bashkëkujdestar të saj. Dhe partia nuk shfaqej vetëm kur kishte nevojë për shoqërinë, por ishte e pranishme aty ku shoqëria jetonte çdo ditë.

Ndërsa partia që qeveris Singaporin prej më shumë se 60 vjetësh ka rrënjosur një rregull që nuk është prekur për më shumë se 60 vjet. Deputetët, përfshirë ministrat, ulen rregullisht në lagjet e tyre dhe presin qytetarët një për një. Takimet nisin në mbrëmje dhe shpesh mbarojnë në mesnatë.

Për çdo hall përgatitet një letër zyrtare, e cila u drejtohet ministrive, agjencive apo institucioneve përgjegjëse. Dhe kjo, natyrisht, nuk është më fushatë; është ritual, ku njerëzit shkojnë si në kishë apo si në xhami, jo për t’i lutur Zotit, por për t’u dëgjuar nga të zgjedhurit dhe nga qeveritarët e tyre.

Sidoqoftë, në këtë kontekst, “Prania Besnike” e Partisë Socialiste nuk mund të jetë as zyra e puntero-s argjentinas, as sportel ankesash dhe asnjë kopje shqiptare e ritualit të Singaporit apo një tentativë e dështuar nostalgjike për partitë e masave të shekullit të kaluar. Ajo duhet të marrë prej përvojave të të tjerëve mësimin, por pa trashëguar sëmundjen dhe duke ndërtuar metodën e saj: praninë pa klientelizëm, dëgjimin pa teatër, organizimin pa burokratizim, ndihmën pa kushte dhe dixhitalizimin pa robotizim e pa kapitalizim”, tha ai.