Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së ka deklaruar se lufta me Iranin ka shkaktuar mungesa në rezervat e municioneve amerikane dhe vështirësi në furnizimin e tyre, në kundërshtim me deklaratat e Presidentit Donald Trump.
Sipas raportit të organit të pavarur mbikëqyrës, Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar më shumë se 22 miliardë dollarë për municione nga shkurti deri në qershor, duke krijuar “mungesa të inventarit strategjik”.
Raporti nuk përcakton sasinë e saktë të municioneve që kanë mbetur në rezervat amerikane, por evidenton mungesa në inventar dhe “bllokime në bazën industriale” që po pengojnë rifurnizimin me shpejtësinë e nevojshme.
Gjatë konfliktit, forcat amerikane kanë përdorur sasi të mëdha municionesh, përfshirë armë me rreze të gjatë veprimi, si dhe sisteme të mbrojtjes ajrore dhe raketore për interceptimin e sulmeve iraniane.
Një vlerësim i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në fund të korrikut tregoi se rezervat e disa raketave interceptuese, përfshirë Patriot dhe sistemet THAAD, ishin reduktuar ndjeshëm, në disa raste me më shumë se gjysmën.
Raporti i inspektorit të përgjithshëm thotë se Departamenti i Mbrojtjes po punon për përmirësimin e proceseve të prokurimit dhe shkurtimin e kohës së prodhimit, me synimin për të adresuar mungesat dhe për të reaguar më shpejt në rast emergjence.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë e ka kundërshtuar këtë vlerësim. Zëdhënësja Anna Kelly deklaroi se ushtria amerikane ka “më shumë se mjaftueshëm” municione dhe rezerva për të përmbushur objektivat strategjike të Presidentit.
Edhe Trump ka mohuar vazhdimisht se SHBA-ja po përballet me mungesa. Ai i ka cilësuar raportimet për probleme me rezervat si të pavërteta, ndërsa në një postim në Truth Social më 3 shtator pretendoi se Shtetet e Bashkuara kanë sasi “pothuajse të pakufizuara” municionesh.
Raporti i inspektorit të përgjithshëm vlerëson gjithashtu se humbjet e pajisjeve gjatë luftës arrijnë në 3.7 miliardë dollarë, ndërsa 7.4 miliardë dollarë të tjera janë shpenzuar për kosto të tjera. Në total, SHBA-ja ka shpenzuar 33.4 miliardë dollarë për luftën nga 28 shkurti deri më 30 qershor.
Ndërkohë, Zyra e Buxhetit të Kongresit e ka vlerësuar koston totale të konfliktit në rreth 38 miliardë dollarë, duke përfshirë municionet dhe pajisjet e humbura apo të zëvendësuara, si dhe kostot shtesë të fluturimeve dhe karburantit.
Sipas raportit, në humbjet e pajisjeve amerikane përfshihen katër avionë luftarakë F-15E, një F-35 dhe 30 dronë MQ-9, të shkatërruar në rrethana të ndryshme.
Ndërkohë, një sondazh i Reuters/Ipsos i publikuar në fillim të shtatorit tregoi se vetëm 23% e amerikanëve besojnë se SHBA-ja është në një pozicion më të fortë ndaj Iranit krahasuar me periudhën para fillimit të armiqësive.