Sport Bota

Penalltitë 50 me 50 te Partizani, dy të shënuara dhe tre kundër

Një nga momentet më kulmore të ndeshjes mes Vorës dhe Partizanit të fituar nga vendasit me rezultatin 1-0, ishte edhe penalltia e shpërdoruar nga ana e sulmuesit Rrok Toma në fundin e pjesës së parë.vora-partizaniNjë episod që mund të kishte ndryshuar fatet e krejt takimit dhe të bënte që kryeqytetasit të dilnin me një rezultat pozitiv nga transferta e parë për fazën e tretë të kampionatit. Te Partizani, nuk kanë pasur shansin që të godasin shumë 11-metërsha në këtë sezon, madje ajo ndaj Vorës ishte vetëm e dyta e akorduar në favor të Partizanit. Penalltia e parë për këtë sezon ishte ajo e akorduar në ndeshjen ndaj Bylisit në fazën e parë, kur Partizani mposhtej me shifrat 3-1.

Nga pika e bardhë u paraqit Vusal Isgandarli me sulmuesin nga Azerbaxhani që tregohej i saktë duke gjetur rrugën e rrjetës. Ndërkohë, janë tre penalltitë e akorduara kundër “Demave të kuq”. E para ishte ajo ndaj Tiranës në derbin e kryeqytetit me Patsatsian që shënoi golin e dytë në disfatën e Partizanit me rezultatin 3-0. Ndërkohë, penalltia e dytë e akorduar kundër të kuqve ishte ajo ndaj Teutës me Gonzalo Zelën që ndëshkoi kryeqytetasit, që gjithsesi në fund fituan me rezultatin 3-2.

Ndërsa, një tjetër penallti e akorduar kundër ishte ajo ndaj Flamurtarit e shndërruar në gol nga Herald Marku, megjithatë edhe në atë takim, Partizani ia doli të merrte pikët e plota duke fituar me rezultatin 2-1 falë golave të Isgandarli dhe Skukës.