Politikë

“Palestina, elefanti në dhomë i OKB-së”, Ditmir Bushati: Qëndrimi i Shqipërisë të jetë serioz dhe qartësisht strategjik

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, në një postim në rrjetin social facebook, e quan cështjen e diskutimit të Palestinës, “elefanti në dhomë” gjatë takimit vjetor të Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që nis këtë javë.

Bushati thotë se në kushtet kur Palestinnë po e njohin disa shtete të mëdha perëndimore si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kanadaja, Australia, etj, vështirë se këto njohje do të ndryshojnë situatën në terren.

“Fakti që vendet e fuqishme të G7-ës e ndërmarrin këtë hap për herë të parë sinjalizon një ndryshim të valës në Perëndim, veçanërisht midis disa prej mbështetësve më të vendosur të Izraelit. Kjo gjithashtu i jep Palestinës mbështetjen e katër prej pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, shkruan Bushati.

Më tej duke analizuar qëndrimin e Shqipërisë në OKB, ish-ministri i jashtëm Ditmir Bushati, thotë se në vitin 2018, Shqipëria votoi në mbështetje të rezolutës që hidhte poshtë vendimin për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.

“Gjatë përshkallëzimit të luftës në Gaza, qëndrimi i Shqipërisë u bë edhe më i paqartë duke reflektuar mungesë koherence në votimet në OKB, dhe ç’është më e keqja, mungesë ndjeshmërie ndaj disa parimeve të cilat Shqipëria i ka promovuar për shkak të historisë së popullit shqiptar”, shkruan Bushati.

Duke shkuar më tej në analizën e tij, Bushati bën thirrje për një qëndrim serioz dhe qartësisht strategjik të Shqipërisë ndryshe nga votimi i rezolutës së 19 shtatorit cka sipas tij,

përforcoi perceptimin e një politike të jashtme kameleonike, nën diktatin e bursës së politikës së brendshme.

“Shqipëria është një vend i vogël që nuk ka në dorë zgjidhjen e konflikteve të ndërlikuara. Por që të veprojmë me seriozitet dhe të demonstroimë qartësi strategjike është detyrimi ynë. Të tilla çështje kërkojnë drejtpeshimin e interesave dhe parimeve që kemi promovuar ndër vite, pasi në lojë është pjekuria dhe vazhdimësia e shtetit, aftësia për t’u orientuar siç duhet në një botë që ndryshon vazhdimisht”, thotë ndër të tjera në analizën e tij, ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.