Lajmet e fundit

OKB: Ndërprerja e internetit në Afganistan nga talibanët rrezikon dëme serioze

Kombet e Bashkuara i bënë thirrje qeverisë talibane ditën e sotme që të rivendosë menjëherë aksesin në internet dhe telekomunikacion në të gjithë Afganistanin. Ky reagim vjen pasi talibanët ndërprenë aksesin e internetit në 24 orët e fundit.

“Ndërprerja e aksesit e ka izoluar pothuajse plotësisht Afganistanin nga pjesa tjetër e botës dhe rrezikon të shkaktojë dëme të konsiderueshme për popullin afgan, veçanërisht duke kërcënuar stabilitetin ekonomik dhe duke përkeqësuar një nga krizat më të këqija humanitare në botë”, tha në një deklaratë Misioni i Ndihmës i Kombeve të Bashkuara në Afganistan (UNAMA).

Qeveria talibane filloi të ndërpresë lidhjet e internetit me shpejtësi të lartë në disa provinca në fillim të këtij muaji për të parandaluar “imoralitetin” me urdhër të udhëheqësit suprem, talibanin, Hibatullah Akhundzada.

Ditën e djeshme sinjalet e telefonisë celulare dhe të shërbimit të internetit ranë gradualisht në të gjithë vendin, derisa lidhja ra në më pak se 1% të niveleve normale.

Afganët nuk mund të komunikojnë, dyqanet online dhe sistemet bankare janë paralizuar, dhe emigrantët nuk mund të dërgojnë më para të cilat janë të rëndësishme për familjarët e tyre.