Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar mazhorancën në Kuvend për shkelje të rënda të ligjeve dhe Kushtetutës së Shqipërisë.
Në një deklaratë të tij, Blushi e cilësoi këtë sjellje si një devijim të thellë nga parimet demokratike, duke akuzuar Partinë Socialiste (PS) se po tenton të shkatërrojë Kushtetutën përmes miratimit të njëanshëm të rregullores së Kuvendit.
“Sot nuk kishin me vete kartonë, por bomba për të hedhur në erë Kushtetutën dhe themelet e sistemit të sigurisë juridike në vend. Është një akt i paprecedent që ky tempull i demokracisë të shndërrohet në një seksion të Asamblesë së PS-së,” tha Blushi.
Ai gjithashtu theksoi se është e papranueshme që deputetët, të cilët janë të ngarkuar me detyrën për të mbrojtur Kushtetutën, po shkelin ligjet e shtetit me shkelm.
“Partia e Lirisë dhe opozita nuk mund të bëhen pjesë e një procesi fars, ku u thirrëm për të legjitimuar një shkelje flagrante,” shtoi Blushi.