Kryesore

Norvegji, shpërthim i fuqishëm në qendër të Oslos pranë një sinagoge. Arrestohet një 13-vjeçar

Kryeqyteti norvegjez Oslo u trondit mbrëmjen e së martës si pasojë e një granate që shpërtheu në qendër të qytetit, pranë një sinagoge.

Autoritetet nxituan menjëherë në vendngjarje, ku gjetën një granatë tjetër. Policia ka shpërthyer granatën e dytë në vendngjarje, ndërsa mediat norvegjeze raportojnë se një djalë 13-vjeçar është arrestuar.

Sipas shefit të operacioneve të policisë, Vidar Pedersen, shpërthimi ndodhi pranë Parkveien rreth orës 8:44 të mbrëmjes sipas kohës lokale, duke mobilizuar menjëherë shërbimet e emergjencës.

Sipas mediave lokale, një 13-vjeçar është arrestuar ndërsa policia dyshon për përfshirjen e dy personave në ngjarje. Teoria kryesore e hetuesve është se në vendngjarje shpërtheu një bombë dore. Një bombë dore tjetër u gjet në zonë dhe autoritetet kryen një shpërthim të kontrolluar për ta neutralizuar atë.

Forcat e armatosura të policisë kanë bllokuar rrugën, ndërsa zjarrfikësit janë në gatishmëri dhe helikopterët e policisë fluturojnë mbi zonë. Në të njëjtën kohë, qarkullimi i tramvajit është ndërprerë, duke evakuuar automjetet pranë vendit të shpërthimit.

Mediat lokale raportojnë se banorëve u janë dërguar mesazhe urgjente paralajmëruese në telefonat e tyre celularë, duke u dhënë udhëzime të qëndrojnë në vende të sigurta larg zonës së shpërthimit.