Një vit pas ndarjes nga jeta, gazetari dhe ish-kryeredaktori i gazetës Panorama, Aristir Lumezi nderohet me çmimin “Sami Frashëri”, për kategorinë Publicistikë.
Në ceremoninë e zhvilluar në Belsh, juria e kryesuar nga Namik Dokle e vlerësoi pas vdekjes Aristir Lumezin me çmimin “Sami Frashëri”, me motivacionin “Gazetar i talentuar, drejtues i përkushtuar i disa mediave, mik dhe kërkues i së vërtetës, i suksesshëm, por i pabujshëm, i drejtë dhe i ndershëm, i sinqertë dhe fisnik, cilësi që karakterizuan edhe krijimtarinë e tij publicistike”.
Çmimi u tërhoq nga djali i tij, Antonio Lumezi, i cili shprehu mirënjohje e falënderime për jurinë dhe të pranishmit. Me çmimin “Sami Frashëri” në Letërsi u vlerësua shkrimtarja Flutrua Açka për veprën “Tulipanë të vonuar”, Akademik Shaban Sinani u vlerësua për veprën “Studime antropologjike në etnokulturë”, ndërsa gazetari Aleksandër Çipa u vlerësua për kontributin e tij në publicistikë.