Kosova

Ngjarje tragjike në Kosovë/ Tre anëtarë të një familjeje gjenden të pajetë në banesë pas zjarrit, mes tyre dy fëmijë

Një ngjarje tragjike është shënuar këtë të mërkurë, më 16 prill, në Malishevë, ku një zjarr ka përfshirë një banesë.

Sipas raportimeve paraprake, në momentin e rënies së zjarrit brenda banesës ndodheshin disa anëtarë të një familjeje.

Si pasojë e flakëve dhe asfiksisë nga tymi, deri më tani raportohen tre viktima, një i rritur dhe dy fëmijë.

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, bëri të ditur se viktimat janë babai me dy fëmijët e tij.

“Fatkeqësisht sot nga asfiksimi, nga zjarret në banesën e tyre kemi tri viktima, babai me dy fëmijë, vajzë dhe djalë. Sapo kemi marrë informacionet, policia, urgjenca, emergjenca, të gjitha njësitë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe stafi mjekësor i cili ka bërë të pamundurën, por në momentin kur është bërë njoftimi, ka qenë ndoshta paksa vonë dhe janë gjetë pa shenja jete babai me dy fëmijët e vet”, tha ai.

Krasniqi shtoi se të gjitha institucionet relevante janë angazhuar menjëherë për trajtimin e rastit.

“Policia, hetuesia, prokuroria, të gjithë ata janë duke e kryer punën e vet edhe ne lutemi edhe bëjmë presion që sa më shpejt të zbardhet rasti”, tha ai.

Sipas tij, shkaku i saktë i zjarrit ende nuk dihet, ndërsa dyshohet për asfiksim nga tymi. “Hetuesia është duke kryer punën e vet, por ajo që dihet nga stafi mjekësor është që vdekja ka ndodhur nga asfiksimi”.