Media amerikane Newsweek i ka bërë jehonë momentit viral të kryeministrit Edi Rama me Presidentin francez Emmanuel Macron dhe atë azer, Ilham Aliyev, ku kreu i qeverisë shqiptare u shpreh me tone humori dhe ironie në lidhje me një lapsus të Presidentit amerikan Donald Trump, ku ngatërronte Shqipërinë me Armeninë.
Newsweek shkruan se gjatë këtij momenti liderët bënë shaka për gabimin verbal të Presidentit Donald Trump kur diskutuan marrëveshjet e paqes që ai kishte ndërmjetësuar, duke përmendur njërën midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, një luftë që nuk ndodhi kurrë.
Trump kishte ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje midis Armenisë dhe Azerbajxhanit në gusht, një nga disa që ai i ka cilësuar muajt e fundit si provë të fuqisë dhe aftësive të tij në politikën ndërkombëtare.
Megjithatë, kur renditi arritjet e tij gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Sir Keir Starmer gjatë vizitës së tij shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar në mesin e shtatorit, ai tha se i kishte dhënë fund një konflikti midis Azerbajxhanit dhe Shqipërisë, i cili solli tallje nga disa media, por mbeti i paprekur nga personalitetet politike deri këtë javë.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e qortoi me shaka kolegun e tij, Presidentin Francez Emmanuel Macron, se nuk i përgëzoi Shqipërinë dhe Azerbajxhanin për ndërmjetësimin e një marrëveshjeje paqeje falë presidentit amerikan, duke thënë se vendet punuan “shumë fort” për ta arritur marrëveshjen.
“Duhet të na kërkoni falje sepse nuk na përgëzuat për marrëveshjen e paqes që Presidenti Trump bëri midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit”, tha Rama ndërsa Macron dhe Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev qeshin.
Macron iu përgjigj shakasë me një kërkimfalje tallëse, duke thënë: “Më vjen keq për këtë”.