Lajmet e fundit

Në botën e robotëve, brenda laboratorit UBTECH Robotics në Kinë

Në Shenzhen të Kinës, ndodhet një nga qendrat më të rëndësishme të inovacionit botëror në fushën e robotikës – UBTECH Robotics. Kompani e themeluar në vitin 2012, UBTECH është sot një lider global në zhvillimin e robotëve humanoidë dhe robotëve inteligjentë të shërbimit.

Në fund të vitit 2023, kompania u listua edhe në bursën e Hong Kongut, duke shënuar një tjetër hap drejt rritjes ndërkombëtare.
Që në hyrje të selisë qendrore, vizitori përballet me një atmosferë futuriste. Laboratorë të mbushur me inxhinierë, shkencëtarë dhe ekspertë të inteligjencës artificiale që punojnë mbi teknologjitë më të avancuara robotike.

Në një nga sallat e demonstrimit, prezantohet Alpha Mini, roboti i vogël edukativ, i cili është i aftë të shprehë emocione, të reagojë në kohë reale dhe të komunikojë me fëmijët, duke u bërë pjesë e klasave dhe qendrave edukative. Alpha Mini është në gjendje të shprehë emocione, të mësojë, madje edhe të reagojë në mënyra shumë të ngjashme me njerëzit deri në detaje të vogla, si një teshtim i papritur.
Alpha Mini ka shërbyer edhe si ndihmës për fëmijët me nevoja të veçanta, ku përmes ndërveprimit e ka bërë procesin më argëtues dhe motivues.

Një tjetër arritje e madhe e UBTECH është Walker S, roboti humanoid në madhësi reale.
I pajisur me sisteme të avancuara lëvizjeje dhe inteligjence, Walker mund të ecë në mënyrë të qëndrueshme, të kryejë detyra komplekse dhe madje të ndërrojë vetë baterinë e tij.
Ky robot tashmë është pjesë e linjave të prodhimit në industrinë e automjeteve, ku kryen punë të rënda e të përsëritura duke punuar krah për krah me njerëzit.

UBTECH ka zgjeruar përdorimin e teknologjive të saj edhe në fusha të tjera.

Në arsim, është furnizuesi numër një në Kinë për produkte dhe zgjidhje robotike edukative.
Në kujdesin për të moshuarit, kompania synon të nxisë shëndet, lumturi dhe pavarësi përmes teknologjive të avancuara të ndërveprimit njeri-robot.
Ndërkohë, në biznes, robotët e saj ndihmojnë në transformimin inteligjent të operacioneve, duke sjellë efikasitet dhe automatizim.

Një nga produktet më të veçanta të UBTECH është “Meng UU”, një robot i vogël shoqërues me inteligjencë artificiale, i dizajnuar kryesisht për fëmijët. Ai ka formë të rrumbullakët, shprehje të animuara dhe ndërvepron përmes zërit, lojës dhe reagimeve emocionale. Ky robot synon të ofrojë argëtim, edukim dhe shoqëri të përditshme, duke u bërë shpesh “roboti i parë AI” në shtëpi.

Një tjetër kategori janë produktet robotike për konsumatorët – si robotët pastrues të pishinave, robotët vetëpastrues për shtëpi dhe makineritë inteligjente për kositjen e barit.
Paisje të tjera përshfijnë dhe produkte për kafshët shtëpiake, për t’i lehtësuar përditshmërinë dhe katër putroshëve.
Këto pajisje, të integruara me inteligjencë artificiale, janë krijuar për t’iu përgjigjur kërkesave të përditshme të familjeve, duke e bërë jetën më të lehtë dhe më të rehatshme.

Në një intervistë të posaçme për televizionin tonë, drejtuesi krysor i UBTECH Michael Tam, ku u pyet se cili është misioni dhe vizioni i kompanisë.
Ai tha:
“Misioni ynë është i qartë ;të sjellim robotët inteligjentë në çdo familje dhe të bëjmë jetën e përditshme më të përshtatshme dhe më të zgjuar.
Ndërsa vizioni ynë është të ndërtojmë një ekosistem inteligjent që kombinon harduerin, softuerin, shërbimet dhe operacionet, duke përdorur robotët si bartës dhe inteligjencën artificiale si bazë.”
Në lidhje me shqetësimin e shpeshtë të publikut nëse robotët do ta zëvendësojnë njeriun ai u shpreh:
“Është ende shumë herët për të folur për zëvendësim. Qëllimi ynë është ndihma dhe bashkëpunimi. Ne po punojmë për të zhvilluar robotë më të sigurt dhe më të zgjuar, që do t’i shërbejnë shoqërisë në të ardhmen” ne nuk kemi për qëllim të zëvendësojmë punën e njeriut apo profesionet, por t’i ndihmojmë ata.”

UBTECH mbetet një nga të paktat kompani në botë me teknologji të plota “full stack” për robotët humanoidë.
Nga modelet e përmasave të vogla deri te humanoidët gjigantë, ata kanë zhvilluar sisteme të avancuara të lëvizjes, perceptimit vizual e gjuhësor, ndërveprimit multimodal dhe platforma ekskluzive si ROSA 2.0.
Me mbi 2 mijë e 600 patenta, prej të cilave mbi gjysma janë shpikje, UBTECH është tashmë një pikë referimi në botën e robotikës.

Ky është realiteti i sotëm: robotët që më parë i shihnim vetëm në filma fantastiko-shkencorë, sot ndodhen në fabrika, në shkolla, në shtëpi dhe në qendra shërbimi.
UBTECH është një shembull i qartë i mënyrës sesi Kina po shërben si në një model global i inovacionit dhe teknologjisë.
E ardhmja e bashkëjetesës mes njeriut dhe robotit nuk është më thjesht një ide e largët ajo është gjithnjë e më shumë një realitet. Dhe UBTECH është ndër kompanitë që po udhëheq këtë transformim.