Një operacion kërkim-shpëtimi që mbajti gjithë Librazhdin me frymë të ndalur për orë të tëra ka përfunduar me sukses të plotë. Dy turistë zviceranë, Marco Sutter dhe Pat Ounhirunskul, janë gjetur dhe shpëtuar në mënyrë spektakolare në majat e ftohta dhe të rrezikshme të Malit të Shebenikut, mbi fshatin Hotolisht i bashkisë së Librazhdit.
Pas një aventure që u kthye në makth, dy turistët kishin humbur orientimin në zonën e njohur si Maja e Furrësit, në një lartësi marramendëse prej 2200 metrash mbi nivelin e detit. Aventura e tyre mori përkeqësim kur Pat Ounhirunskul pësoi një dëmtim të lehtë dhe ndrydhje në këmbë dhe nuk mundi të ecë më.
Përballë temperaturave të ulëta dhe një nate të kaluar në natyrë të egër, të rrethuar nga kafshë të rrezikshme, çifti tregoi guxim dhe mençuri duke sinjalizuar autoritetet shqiptare menjëherë në mëngjesin e së shtunës.
Operacioni i shpëtimit, që përfshiu punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura Elbasan ,forca të shumta policore dhe ekipe të specializuara malore, zgjati disa orë. Heroizmi i këtyre strukturave bëri të mundur lokalizimin dhe shpëtimin e turistëve në një terren tepër të vështirë dhe me kushte ekstreme atmosferike.
Fatmirësisht, të dy turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Pat Ounhirunskul ka marrë ndihmën e parë për ndrydhjen e këmbës dhe do të transportohet me kujdes drejt spitalit për ekzaminime të mëtejshme, së bashku me shokun e saj, Marco Sutter.
Autoritetet shqiptare kanë falënderuar për bashkëpunimin dhe vigjilencën e treguar nga turistët, ndërsa kanë theksuar rëndësinë e orientimit dhe përgatitjes për eksploruesit që vizitojnë zonat malore të vendit.
Ky rast shënon jo vetëm një sukses operativ, por edhe një tjetër dëshmi të mikpritjes, profesionalizmit dhe përkushtimit të institucioneve shqiptare ndaj turistëve që zgjedhin të eksplorojnë bukuritë natyrore të Shqipërisë.
Për çiftin e turistëve nga Zvicra fatmirësisht kjo aventurë e rrezikshme pati fund i lumtur dhe ky gëzim u nda edhe me grupin e kërkim shpëtimit të cilët padyshim që arritën ta finalizonin me sukses të plotë dhe heroizëm këtë operacion mjaft të vështirë.
NJOFTIMI I POLICISE
Humbën rrugën gjatë eksplorimit të zonës së Shebenikut ??, Policia iu erdhi në ndihmë 2 turistëve nga Zvicra.
Salla Operative e Komisariatit të Policisë Librazhd mori njoftim se një çift turistësh kishte humbur rrugën gjatë eksplorimit të malit të Shebenikut.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë së Librazhdit u nisën drejt zonës për të lokalizuar dhe ndihmuar turistët. Në mbështetje të tyre shkuan edhe punonjës të zonave të mbrojtura.
Pas disa orësh kërkime, turistët u gjetën në gjendje të mirë shëndetësore.
Turistët falënderuan punonjësit e Policisë për gatishmërinë dhe ndihmën e dhënë, si dhe punonjësit e zonave të mbrojtura.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan mbetet e angazhuar maksimalisht për të garantuar sigurinë e turistëve dhe vizitorëve që zgjedhin vendin tonë ??.