Kronikë

Mandati i Dumanit përfundon më 18 dhjetor/ KLP le afat 3 javë që kandidatët në garë për kreun e SPAK të paraqesin platformën

Ka nisur mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë në lidhje me garën për kreun e ri të SPAK.

Në mbledhjen e sotme, relatori Sokol Stojani u shpreh se, “Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet nga radhët e Prokurorëve të kësaj prokurorie me shumicën e anëtarëve të KLP-së për 3 vjet, pa të drejtë rizgjedhje sipas ligjit”.

Stojani theksoi se parashikohet që procedura për zgjedhjen e drejtuesit të ri duhet të fillojë jo më vonë se 3 muaj para mbarimit të mandatit të kryetarit.

“Për këtë arsye lind nevoja e shpalljes së vakancës dhe vijimin e procedurave të mëtejshëm për zgjedhjen e drejtuesit të prokurorisë së posaçme në kushtet kur mandati i drejtuesit aktual mbaron më datë 18 dhjetor 2025”, tha ai.

Sipas tij, kandidatët duhet të paraqesin një platformë, e cila duhet të përmbajë dhe dokumentacionin e nevojshëm ku të provohet eksperienca e punës.

Në mbledhje u dakordësua që kandidatët, nga radhët e SPAK, kanë afat tri javë për aplikimin, pra deri në datën 8 tetor. Mësohet se kandidatët do të duhet të paraqesin platformat e tyre në lidhje me mënyrën se si do ta drejtojnë SPAK-un.

“Afati për dorëzimin e aplikimeve është deri më datë 8 tetor 2025. Vendimi hyn në fuqi menjëherë. Shpallet në Tiranë, sot, më datë 17 shtator 2025. Me 11 vota pro, asnjë kundër miratohet”, tha kryetarja e KLP.