Sport Bota

Malisheva fiton bindshëm në Podujevë, Dukagjini barazon me Ballkanin

Malisheva fiton bindshëm në Podujevë, Dukagjini barazon me Ballkanin

Malisheva ka regjistruar fitore bindëse ndaj Llapit në stadiumin “Zahir Pajaziti”, në kuadër të javës së 6-të në AlbiMall Superligë, me rezultat 4:0.

Skuadra mysafire e zhbllokoi rezultatin në minutën e 41-të, kur Vusal Isgandarli realizoi për 1:0. Goli u verifikua përmes VAR-it.

Malisheva vazhdoi me ritëm të lartë edhe në pjesën e dytë. Në minutën e 57-të, pas rishikimit të situatës me VAR, iu akordua penallti, ndërsa Xhemal Ibishi ishte i saktë nga pika e bardhë për 2:0.

Vetëm tre minuta më vonë, Lorent Talla e dërgoi topin në rrjetë për 3:0, ndërsa rezultatin përfundimtar e vendosi Mark Bushaj në minutën e 84-t.

Për Llapin kjo ishte humbja e pestë në gjashtë ndeshje, ndërsa Malisheva me këtë fitore vazhdon të mbajë ritëm të lartë në pjesën e sipërme të tabelës.

Në ndeshjen tjetër në Suharekë Ballkani dhe Dukagjini zhvilluan një ndeshje të luftuar, por në fund asnjëra skuadër nuk arriti ta gjejë rrugën e rrjetës.

Takimi përfundoi 0:0, me të dyja skuadrat që krijuan mundësi shënimi, por mungoi konkretizimi në momentet vendimtare.

Dukagjini që ende nuk ka pësuar humbje, regjistroi kështu barazimin e tretë të sezonit, krahas tri fitoreve, dhe me 12 pikë renditet në pozitën e tretë.

Ballkani, ndërkohë, regjistroi barazimin e dytë dhe ka tri fitore dhe dy humbje, duke mbledhur 10 pikë në vendin e pestë.