Politikë

“Mafia i zgjidh problemet me vrasje, do ta shohim, Rama apo Balluku”, Aulon Kalaja: Kë të zgjedhësh në shportën me dardhë të kalbura?!

Në protestën kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike, përfaqësues dhe aktivistë të opozitës mbajtën fjalime para mbështetësve të mbledhur në sheshin para Kryeministrisë.

Gjatë protestës ka folur edhe aktivisti i PD-së, Aulon Kalaja, i cili mbajti një fjalim me tone të forta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Kalaja u shpreh se, sipas tij, Shqipëria ndodhet nën sundimin e një pakice që ushtron pushtetin në mënyrë të padrejtë, duke e cilësuar këtë formë qeverisjeje si tirani.

Ai theksoi se problemet e vendit burojnë nga, sipas tij, keqqeverisja dhe korrupsioni, duke deklaruar se “çdo pushtet që shkel ligjin quhet mafia, jo qeveri”. Kalaja u bëri thirrje qytetarëve të mos qëndrojnë pasivë dhe të mos presin zgjidhje nga faktorë të jashtëm, por të angazhohen vetë për ndryshim.

Në fjalën e tij, aktivisti i PD-së kritikoi edhe heshtjen e shoqërisë përballë padrejtësive, duke theksuar se, sipas tij, vendi nuk po vuan vetëm nga veprimet e qeverisë, por edhe nga mungesa e reagimit qytetar. Ai u shpreh se liria dhe ndryshimi arrihen vetëm përmes përpjekjeve dhe guximit, duke shtuar se “asgjë e madhe nuk është arritur pa sakrifica”.