Kryesore

Lufta e tarifave/ Kina nuk i trembet kërcënimeve të Trump, e hapur të zgjidhë mosmarrëveshjet me SHBA-të

Ministria Kineze e Tregtisë ka nxjerrë një deklaratë ku është shprehur se nuk duan një luftë tarifore por njëkohësisht nuk i tremben asaj.

Kina, ditën e sotme ka sinjalizuar se nuk ka ndërmend t’i tërhiqet kërcënimit të tarifave 100% nga presidenti Donald Trump.

Nga ana tjetër, Kina i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të zgjidh mosmarrëveshjet nëpërmjet negociatave dhe jo duke kërcënuar.

Përgjigja e palës kineze ka ardhur fill pas dy ditësh, pasi Trump kërcënoi me rritjen e taksës së importeve nga Kina deri më 1 nëntor. Kërcënim, i cili erdhi si rrjedhojë e kufizimeve të reja kineze mbi eksportin e metaleve të rralla.

“Nëse pala amerikane këmbëngul me kokëfortësi në praktikën e saj, Kina do të jetë e sigurt se do të marrë me vendosmëri masa përkatëse për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj legjitime”, thuhej në postim.

Shkëmbimi kërcënon të prishë një takim të mundshëm midis Trump dhe udhëheqësit kinez Xi Jinping dhe t’i japë fund një armëpushimi në një luftë tarifore në të cilën tarifat e reja nga të dyja palët arritën për pak kohë në 100% në prill.

Trump ka vendosur tarifa mbi importet nga shumë partnerë tregtarë të SHBA-së këtë vit, duke kërkuar të fitojë lëshime në këmbim të uljes së tarifave. Kina ka qenë një nga vendet e pakta që nuk është tërhequr, duke u mbështetur në ndikimin e saj ekonomik.

Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të frymës së armëpushimit duke vendosur kufizime të reja në tregti.