Politikë

“Kryeministri dhe ministrat nuk kishin fjalim programi”, Noka: Rama inskenoi me detaje skenarin e provokimit. E mbylli shpejt, sepse i urren debatet

Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, i ftuar në Log, i ka dhënë përgjigje gazetarit Arbër Hitaj i cili e ka quajtur të gabuar sjelljen e opozitës në seancën parlamentare kur duhet të diskutohej programi i qeverisë.

Noka tha se gjithçka ishte një skenar i përgatitur nga kryeministri Rama që bashkë me ministrat e tij kishin ardhur pa fjalim provimi.

“Ministri në këtë rast avatari nuk e merr fjalën nga kryeministri. Ai nuk ja jep fjalën askujt. Është spikeri i Kuvendit. Por ju e patë që seancën e drejtoi Kryeministri. Ai kishte inskenuar me detaje një skenar për ta mbyllur sa më shpejt sepse ai nuk duron, ai urren njerëz, debate. Kishin ardhur shpejt të provokojnë, ta mbyllin dhe të ikin”, tha Noka.

Kurse gazetari Arbër Hitaj e cilësoi tensionin e krijuar artificial dhe sjelljen e opozitës të gabuar.

“Duhet të kishit patur një reagim më të qetë, jo acarues. Ju hodhët kushtetutën dhe rregulloren. Por u krijua një tension artificial”, tha Hitaj.