Kryeministri Edi Rama prezantoi sot zyrtarisht ministren e re të Brendshme, Albana Koçiu, duke e cilësuar këtë moment si një pikë kthese historike për institucionin. Gjatë një fjalimi të gjatë dhe të drejtpërdrejtë, Rama adresoi një sërë problematikash të trashëguara që, sipas tij, kërkojnë reformim urgjent.
Rama renditi një sërë hallkash problematike, duke filluar nga Gjendja Civile, e cila sipas tij “vuan nga një sistem i degraduar”, te kompanitë private të sigurisë, të cilat i përshkroi si “çeta bajraktarësh nga librat e historisë”.
Ai u ndal edhe te kompania “Illyrian Guard”, e krijuar fillimisht për të ofruar një tranzicion të denjë për punonjësit e policisë në prag pensioni, por që – siç tha ai – është kthyer në një “jetimore qokash nga të katër anët”, duke humbur plotësisht misionin e saj.
“Policia shkencore ka mbijetuar falë disa specialistëve të mirë, por pa asnjë investim serioz për kohën ku jetojmë. Edhe Garda e Republikës, një shërbim elitë, ka mbetur në vendnumëro”, shtoi Rama.
Një tjetër problematikë që kryeministri theksoi ishte mënyra se si janë administruar pasuritë e sekuestruara nga krimi.
“Për vite të tëra, pasuritë e sekuestruara nga kriminelët, pasi u merreshin me 1001 përpjekje, ua jepnin sërish atyre me çmime qesharake. Kishim një njësi që funksiononte si riciklim, jo si administrim i drejtë. Kjo ka nisur të ndryshojë vetëm tani,” tha Rama, duke përgëzuar ministrin e mëparshëm dhe drejtoreshën e kësaj njësie për reformën.
Kryeministri përmendi edhe problematikën absurde të “provave” që janë mbledhur ndër vite: makina, motorra, karroca, e deri te shapkat e sekuestruara.
“Numri i shapkave të mbledhura është aq i madh, sa mund të vishnim me to të gjithë pastrueset e Ballkanit,” tha ai me ironi, duke shtuar se këto “burime kancerogjene” janë në proces pastrimi.
Ai nënvizoi se kontrolli i territorit dhe ndërhyrjet kundër ndërtimeve pa leje janë intensifikuar dhe tani “policia nuk është më pjesë e problemit, por po bëhet pjesë e zgjidhjes”.