Lajmet e fundit

Iu dhanë 27 vjet burg për grusht shteti, SHBA vendos sanksione ndaj gruas së gjyqtarit që dënoi ish-presidentin e Brazilit

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj gruas së gjyqtarit të Gjykatës Supreme braziliane, Alexandre de Moraes, i cili kryesoi gjyqin që çoi në dënimin e ish-presidentit të ekstremit të djathtë të vendit, Jair Bolsonaro, një çështje që po shkakton tensione midis Uashingtonit dhe Brazilias.

Për muaj të tërë, Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe administrata e tij kanë ushtruar presion mbi gjyqësorin e Brazilit, duke e akuzuar atë për ndjekje penale të padrejtë të ish-presidentit dhe aleatit të Trump. Gjykatësi de Moraes është objektivi kryesor i sanksioneve, pasi Uashingtoni e akuzon atë për “orkestrimin e një gjuetie shtrigash”. Elon Musk, bashkëpunëtori i ngushtë i Trump – pavarësisht mosmarrëveshjeve të tyre – madje e krahasoi gjykatësin me Voldemortin, rivalin e lig të Harry Potter.

Sanksionet e reja të njoftuara nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së synojnë gruan e gjyqtarit, Viviane Barsi de Moraes, si dhe një kompani të lidhur me familjen e saj. Ato ngrijnë të gjitha asetet e saj në SHBA dhe gjithashtu ndalojnë kompanitë amerikane dhe qytetarët amerikanë të bëjnë biznes me të, nën kërcënimin e sanksioneve.

Sekretari i Thesarit, Scott Bessant, paralajmëroi se departamenti i tij do të vazhdojë të shënjestrojë “individët që ofrojnë mbështetje materiale për De Moraes”, i cili po shkel “të drejtat e njeriut”.

Më 11 shtator, Gjykata Supreme e Brazilit e dënoi Bolsonaron me 27 vjet burg pasi e gjeti fajtor për komplot për të mbetur në pushtet pas humbjes së tij zgjedhore nga Presidenti aktual Luiz Inacio Lula da Silva në vitin 2022.