Sport Bota

Gjashtë Sprinte me tri risi, FIA zbardh kalendarin “2026”

FIA ka shpallur zyrtarisht gjashtë pistat ku do të zhvillohen garat Sprint të sezonit 2026, me një rikthim të shumëpritur dhe tre vende të reja që do të debutojnë në vitin e “revolucionit” të Formulës 1. Bëhet fjalë për gjashtë gara Sprint, nga të cilat 3 do të zhvillohen në pista të reja për këtë format. Shanghai, Majami, Montreali, Silverston, Zandvort dhe Singapori, janë vendet e përzgjedhura nga FIA për garat e shkurtra të sezonit të ardhshëm, me organizatorët që kërkojnë që ti bëjnë edhe emocionuese garat sprint në sezonin e ardhshëm.

Vlen të theksohet rikthimi i Sprintit në Silverston, pas pesë viteve mungesë në Britaninë e Madhe, si dhe debutimi i Kanadasë, Holandës dhe Singaporit në këtë format. Sezoni 2026 do të jetë veçanërisht i rëndësishëm për shkak të hyrjes në fuqi të rregulloreve të reja teknike, që pritet të transformojnë ndjeshëm performancat dhe strategjitë e skuadrave. Kampionati Botëror i Formulës 1 do të nisë zyrtarisht në fundjavën 6-8 mars në “Albert Park” të Melburnit dhe do të përfundojë në “Yas Marina” të Abu Dabit, më datat 4-6 dhjetor, me gjithsej 24 gara në kalendar.

DOMENIKALI – Presidenti dhe CEO i Formulës 1, Stefano Domenikali, është shprehur entuziast për të ardhmen e Sprinteve: “Që nga prezantimi në vitin 2021, gara Sprint ka vazhduar të fitojë popullaritet dhe të ketë një ndikim gjithnjë e më pozitiv.

Me katër sesione garash formati Sprint ofron më shumë aksion për tifozët tanë, transmetuesit dhe organizatorët lokalë, duke rritur përfshirjen dhe audiencën. Sezoni 2026 do të shënojë fillimin e një epoke të re me rregulla të reja, dhe tri cirkuite të reja për Sprintet do të shtojnë emocion dhe tension në pistë. Dua të falënderoj FIAn, të gjithë organizatorët, partnerët tanë, marshallët, vullnetarët dhe klubet lokale sportive që vazhdojnë ta bëjnë këtë format një sukses të madh. Mezi presim t’u ofrojmë tifozëve tanë gara spektakolare dhe emocione të mëdha në vitin 2026”, deklaroi Stefano Domenikali.

NDRYSHIMET PËR 2027-ën- Ashtu siç është konfirmuar, formati dhe numri i garave do të mbeten të pandryshuara si në vitin 2025. Kjo do të thotë: Sprint kualifikues të premten, një minigarë të shtunën, dhe më pas kualifikimet tradicionale dhe gara kryesore ditën e diel. Ky vendim, i marrë në bashkëpunim mes F1 dhe FIA-s, është diktuar nga dëshira për të mos e rënduar financiarisht ekipet, të cilat vitin e ardhshëm do të përballen me një rregullore të re teknike.

Vëmendja tashmë është përqendruar te sezoni 2027, ku po zhvillohen diskutime konkrete për të shtuar numrin e Sprinteve, thuhet se mund të arrijnë deri në 12, si dhe për të eksperimentuar me një risi tjetër: nisjen e garës me grilë të përmbysur, bazuar në rezultatet e kualifikimeve. Qëllimi kryesor, siç ka theksuar edhe vetë Domenikali, është të reduktohen sesionet e provave të lira, të cilat konsiderohen pak tërheqëse për shikuesit dhe veçanërisht për organizatorët e garave. Këta të fundit janë shumë më të interesuar për formatin Sprint, i cili ka sjellë një rritje të audiencës me afro 30% krahasuar me vitin 2023.