Sport Bota

Futbollisti që bën ndryshimin për Orges Shehin, trajneri “qan” një detaj të rëndësishëm te Tirana

Tirana po kalon formën më të mirë në Abissnet Superiore, ndërsa në katër ndeshjet e fundit regjistron tri fitore dhe një barazim. Orges Shehi në të tri sfidat që janë fituar, ka nxjerrë në pah Fredi Alvarezin që tashmë është titullar i padisktueshëm.Mesfushori me tipare sulmuese ka vlerësimin maksimal të trajnerit Shehi siç edhe duket nga deklaratat. Pengesa e vetme deri tani është forma fizike, pasi Alvarezin e konsideron si një nga lojtarët e paktë që bëjnë ndryshimin në kampionat.

DEKLARATA E SHEHIT PAS FITORES ME BYLISIN:

“Nuk ishte vetëm Kortez që ndërtoi, meriton komplimente dhe Alvarez. Ka shumë futboll, por ana fizike e penalizon. Kur futëm Fredin dhe Tabekun, ishte pikëstacioni për ne.

PAS FITORES ME VORËN:

“Meritojnë komplimente çunat, gjendja fizike e çunave nuk është e duhur. Sidomos Alvarez, që kishte mënyrë loje për t’u pasur zili. Jemi munduar të menaxhojmë lojën për shkak të gjendjes së lojtarëve”.

PAS FITORES ME EGNATIAN:

“Ndërhymë pas pjesës së parë. E dimë që Alvarez nuk e ka gjendjen e mirë. Por, si e luan ai futbollin, janë lojtarë të paktë, por ai është stacion shumë i mirë, të jep qetësi. Për këtë e lamë në fushë, për të kapur edhe hapësirat me pasimin e tij të mirë. E dinim që gjendja e tij nuk është optimale, kërkonim që të ishte tek ato zonat aty, por për cilësitë që ka me topin, ta shfrytëzonim”.