Lajmet e fundit

Franca nis hetimin ndaj anijes ruse që lundronte në brigjet evropiane pa flamur

Franca po heton anijen tanker “Boracay”, që dyshohet se i përket “flotës së errët” ruse, sipas deklaratës së presidentit Emmanuel Macron.

Autoritetet franceze kishin mbajtur heshtje për këtë anije, e cila aktualisht ndodhet pranë qytetit Saint-Nazaire.

Prokurori i qytetit Brest deklaroi sot se hetimi nisi pasi ekuipazhi nuk paraqiti prova për identitetin e anijes dhe nuk u përputh me urdhrat, por nuk dha më shumë detaje.

Macron, gjatë samitit të liderëve të Bashkimit Evropian në Danimarkë, tha se vlerësimi kolektiv është se “flota e errët” ruse përfshin midis 600 dhe 1,000 anije.

Boracay ndodhet në listën e anijeve të sanksionuara nga Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian në lidhje me luftën e Rusisë në Ukrainë.

Më herët gjatë këtij viti Boracay u kap nga autoritetet estoneze sepse lundronte pa flamur shtetëror të vlefshëm.

Sipas të dhënave të MarineTraffic, kjo anije u nis nga porti rus i Primorsk më 20 shtator. Ajo kaloi Detin Baltik, kaloi pranë skajit të Danimarkës, pastaj hyri në Detin e Veriut dhe vazhdoi në perëndim përmes Kanalit të Anglisë.

Të dhënat e monitorimit tregojnë se anija tanker, ndërtuar në 2007, u ndoq nga një anije luftarake francize në brigjet e Francës, pasi bëri një kthesë në skajin veriperëndimor të Francës, përpara se të ndryshonte kurs dhe të drejtohej në lindjes.

Marina franceze, prokurori i Brestit dhe autoritetet detare nuk iu përgjigjën pyetjeve të bëra sot.

Kremlini, përmes zëdhënësit Dmitri Peskov, deklaroi sot se nuk ka asnjë informacion për këtë anije, por shtoi se ushtria ruse ndonjëherë duhet të veprojë për të rivendosur rendin kur vendet e huaja ndërmarrin “veprime provokuese”.