Politikë

“E kishin parë duke tymosur në lokal”, Albana Koçiu konfirmon shkarkimin e Andi Mahilës nga detyra e zv/ministrit

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka konfirmuar zyrtarisht shkarkimin e zëvendësministrit të Brendshëm, Andi Mahila pasi ky i fundit ka konsumuar cigare në shkelje të ligjit anti-duhan.

Koçiu shkruan se denoncimi erdhi nga një bashkatdhetar në New York, i cili bashkë me familjen kishte përjetuar shqetësim për faktin se zv/ministri i Brendshëm tymoste cigare në restorant.

“Bëra verifikimin përkatës dhe i komunikova zv/ministrit largimin nga detyra”, shkruan ministrja Koçiu.

Reagimi
Konfirmoj sa ka dalë në shtyp lidhur me largimin e zëvendës ministrit. Kam marrë një denoncim nga një bashkatdhetari ynë në New York, i cili bashkë me familjen kishte përjetuar shqetësim për faktin se zv.ministri i brendshëm tymoste cigare në restorant. Bëra verifikimin përkatës dhe i komunikova zv.ministrit largimin nga detyra.

Çdokush mund të gabojë padashje dhe mund të mirëkuptohet , por të pish cigare brenda në lokal nuk është një gabim padashje, po një shkelje e pajustifikueshme e ligjit. Aq më tepër për një drejtues të një institucioni si ministria e punëve të brendshme.

Nga ana ime e kam njoftuar bashkëatdhetarin që dërgoi mesazhin, se shqetësimi i tij i drejtë nuk ra në vesh të shurdhër. I siguroj të gjithë qytetarët që do të denoncojnë shkelje të cilitdoqoftë, se do të dëgjohen me të njëjtin respekt. Jo vetëm me fjalë po me qëndrimet parimore që ata me plot të drejtë presin prej nesh.