Ndeshja derbi e xhiros së katërt në AlbiMall Superligën e Kosovës ndërmjet Prishtinës dhe Dritës është mbyllur me barazim 2:2. Përballja u zhvillua të dielën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe solli emocione deri në minutat e fundit.
Pjesa e parë foli për kampionen në fuqi, Dritën, e cila brenda dy minutave gjeti dy gola. Fillimisht shënoi Egzon Bejtullai në minutën e 29-të, ndërsa vetëm dy minuta më pas Vesel Limaj dyfishoi epërsinë për 2:0.
Në pjesën e dytë, Prishtina reagoi fuqishëm. Ardian Muja shënoi në minutën e 77-të për të ngushtuar rezultatin, ndërsa vetëm pak më vonë Alban Shillova, pasi hyri nga banka, barazoi në 2:2. Në minutat shtesë, Prishtina ishte shumë pranë përmbysjes, por portieri i Dritës, Faton Maloku, bëri një pritje vendimtare.
Pas këtij rezultati, Prishtina mbetet në vendin e tretë me 7 pikë, dy më pak se lideri Dukagjini. Ky ishte barazimi i parë për bardhekaltrit, që kanë gjithashtu dy fitore e një humbje. Ndërkohë, Drita ende pa fitore, ka dy barazime e një humbje, por me një ndeshje më pak të zhvilluar, renditet në pozitën e parafundit.