Tara Reade, një amerikane e cila gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2020 akuzoi Joe Biden për sulm seksual gati tridhjetë vjet më parë, iu dha sot shtetësia ruse, sipas një dekreti të nënshkruar nga Presidenti rus Vladimir Putin.
Bazuar në këtë tekst të postuar në faqen zyrtare të vendimeve të gjykatës, “Znj. Cabe Alexandra Tara, e lindur më 26 shkurt 1964”, tani është ruse.
Sipas mediave amerikane, Tara Reade e ndryshoi emrin e saj në “Alexandra McCabe” në vitin 1998 për të mbrojtur veten nga ish-bashkëshorti i saj, të cilin e akuzoi për dhunë në familje. Në fillim të vitit 2020, ajo tha se Joe Biden, kandidati demokrat për president në atë kohë, e kishte sulmuar seksualisht në një korridor të kongresit në vitin 1993, kur ai ishte senator dhe ajo punonte në zyrën e tij.
Akuza, megjithëse Biden e mohoi kategorikisht, shkaktoi vështirësi në fushatën e tij zgjedhore kundër presidentit në largim Donald Trump, i cili vetë ishte akuzuar për sulm seksual, ngacmim ose përdhunim nga shumë gra.
Në deklaratat e Tara Reade u gjetën mospërputhje. Ndër të tjera, nuk u gjet asnjë gjurmë e ankesës që ajo tha se i kishte bërë Kongresit në atë kohë.
Në maj të vitit 2023, Tara Reade i tha agjencisë ruse të lajmeve Sputnik se do të aplikonte për të marrë një pasaportë ruse dhe për t’u vendosur në Rusi, sepse kishte frikë për sigurinë e saj në SHBA. Në mesin e korrikut 2024, ajo njoftoi se ishte kthyer në SHBA për të ngritur një padi kundër Bidenit për “sulm seksual”, vetëm disa ditë para se ish-presidenti të përfundonte fushatën e tij.