Lajmet e fundit

Akuzohen se ndihmuan agjencitë ruse të spiunazhit, arrestohen tre shtetas britanikë

Policia britanike arrestoi tre persona me dyshimin se kanë ndihmuar një shërbim të inteligjencës së huaj, duke thënë se hetimi ishte i lidhur me Rusinë , në një rast tjetër që dyshohet se lidhet me aktivitetet spiunazhi të Moskës në Britani .

Tre të arrestuarit dy burra, të moshës 41 dhe 46 vjeç, dhe një grua 35-vjeçare -u arrestuan në Essex, në lindje të Londrës, të akuzuar për vepra penale sipas Aktit të Sigurisë Kombëtare , i cili hyri në fuqi dy vjet më parë, duke u dhënë kompetenca të reja për të synuar kërcënimet nga shtetet e huaja.

“Përmes rasteve tona të fundit të sigurisë kombëtare, po shohim një numër në rritje të individëve që rekrutohen nga shërbimet e huaja të inteligjencës”, tha Komandanti Dominic Murphy , kreu i Shërbimit Kundër Terrorizmit të policisë së Londrës.

Londra ka akuzuar vazhdimisht Rusinë ose agjentët e saj se qëndrojnë pas komploteve të spiunazhit dhe misioneve sabotuese në Britani dhe në të gjithë Evropën , me kreun e agjencisë britanike të kundërzbulimit që thotë se agjentët rusë po përpiqen të shkaktojnë “kaos”. Kremlini i mohon akuzat, duke thënë se qeveria britanike fajëson vazhdimisht Rusinë për çdo gjë “të keqe” që ndodh në Britani.